img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/10/01

Gjyqtarja Blerona Hasa përmbysi ‘barrën e provës’ në KPK

Gjyqtarja e Apelit Administrativ, Blerona Hasa u konfirmua në detyrë më 27 korrik 2020, pasi arriti të përmbyste dyshimet e ngritura nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.

Trupa gjyqësore e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtare Xhensila Pine rrëzoi gjithashtu si të pambështetur në prova një raport të DSIK, ndërsa shpalli moskompetencën për shqyrtimin e një vendimi –i cili ndodhej në pritje të gjykimit në Gjykatën e Lartë.

Blerona Hasa ka përfunduar studimet e Magjistraturës në vitin 2011 dhe është emëruar fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Korçës. Në vitin 2011, ajo është transferuar në Gjykatën e Tiranës, ndërsa në vitin 2013 është dekretuar si gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë.

Sipas vendimit të arsyetuar të Komisionit, gjyqtares Blerona Hasa i kaloi barra e provës për të dëshmuar kohën kur ishte kryer një investim, destinacioni i dy kredive për bërjen e banueshme të një shtëpie si dhe për ato që u konsideruan “mospërputhje të deklarimeve vjetore për këtë banesë me ato veting”.

Sipas vendimit, Hasa solli një sërë dokumentesh për të vërtetuar barrën e provës sa i përket dyshimeve mbi pasurinë, duke arritur të provonte të kundërtën e dyshimeve të ngritura nga KPK.

Gjyqtarja paraqiti në KPK projektin e banesës së ndërtuar fillimisht nga vjehrri, një sërë dokumentesh të pushtetit lokal, përfshi vërtetime të kolaudimit, që dëshmonin kohën se kur ishte bërë ndërhyrja në shtëpi dhe numrin specifik të kateve.

Hasa këmbënguli që kreditë e marra në 2007 ishin përdorur për apartamentin dhe solli si provë ndër të tjera, një padi të bashkëshortit për njohje të pronësisë, në të cilën theksohej se i shoqi dhe Hasa kishin investuar në katet e mbetur pa përfunduar të ndërtesës në vitin 2007, kontratat me ujësjellësin dhe ato me OSHEE për energjinë elektrike dhe dokumente të tjera të ngjashme.

Pas dokumenteve dhe shpjegimeve të Hasës, KPK ndryshoi qëndrim mbi këtë pasuri, duke i cilësuar të dhënat e saj të sakta dhe arsyetuar se pretendimet e gjyqtares u provuan.

“Trupi gjykues vlerëson se shpjegimet e subjektit të rivlerësimit janë bindëse dhe nga analiza e dokumentacionit të administruar, konkludon se provohet vërtetësia dhe mjaftueshmëria për sa i takon deklarimeve të subjektit për këtë pasuri,” thuhet në vendim.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu