img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/08/11

Komisioneri Publik ankimon në Kolegj konfirmimin e gjyqtares Valdete Hoxha

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Valdete Hoxha do të kalojë sërish në filtrat e vetingut, pasi Komisioneri Publik ngriti dyshime mbi hetimin e KPK-së për shpenzimet e shkollimit të vajzës në Kanada dhe e ankimoi të martën konfirmimin e saj në detyrë.
Në ankimin drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, komisioneri Darjel Sina thekson se përfundimet e Komisionit për konfirmimin në detyrë të Znj. Hoxha janë “rrjedhojë e një vlerësimi jo të drejtë të provave si dhe e një hetimi jo të plotë dhe shterues administrative”.
Gjyqtarja Valdete Hoxha u konfirmua në detyrë më 1 korrik nga trupa gjyqësore e drejtuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Genta Tafa Bungon dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në vendimin e konfirmimit, KPK deklaroi se gjyqtarja Valdete Hoxha arriti nivel të besueshëm në kriterin e pasurisë, atë të pastërtisë së figurës dhe profesionalizmit.
Megjithatë, Komisioneri Publik vlerëson se nevojitet riçelje e hetimit në Kolegj lidhur me aftësinë huadhënëse të kunatës së Znj. Hoxha për shumës e rreth 93 mijë dollarë kanadezë për mbulimin e shpenzimeve të shkollimit të vajzës së saj në Kanada në vitet 2012-2016 si dhe për dhurimet në vlerën e 11 mijë dollarëve kanadezë.
Në hetimin e vet, KPK arriti në përfundimin se halla e vajzës së gjyqtares Hoxha ka pasur të ardhura të mjaftueshme për të justifikuar huanë e dhënë për shkollimin e saj në Kanada. Por komisioneri Sina vlerëson se nevojiten verifikime të tjera në drejtim të shpenzimeve të huadhënësve.
“Ky kontroll nuk synon vlerësimin e burimit të ligjshëm të çdo pasurie të vënë nga këta persona, por vlerësimin e shpenzimeve të tyre në raport me mundësinë dhe mjaftueshmërinë financiare për të dhënë hua në shumën 93.952,08 CAD, vajzës së subjektit të rivlerësimit dhe dhurimet e deklaruara,”thekson Sina.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu