img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/08/11

Komisioneri Publik ankimon vendimin për konfirmimin e gjyqtares Etleva Deda

Disa pasaktësi në deklarimin e gjendjes cash në vite, mosdeklarimi i mbajtjes cash në shtëpi të kredisë së marrë për blerje shtëpie dhe një dhuratë prej 15 mijë eurosh nga prindërit, janë sipas Komisionerit Publik Florian Ballhysa arsye për të kërkuar shkarkimin e gjyqtares Etleva Deda.
Komisioneri Publik njoftoi të martën se kishte ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e KPK të 12 qershorit që kishte konfirmuar gjyqtaren e Gjykatës së Posaçme në detyrë.
“Duke marrë për bazë jurisprudencën e deritanishme të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, gjendjen e fakteve dhe provave në rastin konkret dhe të ligjit të zbatueshëm, Komisioneri Publik ndan gjykim të kundërt, pasi vlerëson se subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë”, thuhet në ankimin e Komisionerit.
Etleva Deda e nisi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004 si gjyqtare e Gjykatës së Krimeve të Rënda. Në vitin 2010, Deda e drejtoi përkohësisht këtë gjykatë si kryetare e komanduar. Me shkrirjen e Krimeve të Rënda, ajo kaloi te Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ajo u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pasi trupa e kryesuar nga Genta Tafa (Bungo) me anëtare Valbona Sanxhaktarin dhe Roland Ilia vendosi se ajo arriti nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësmit.
Por Komisioneri Publik mendon se vendimi i Komisionit është “i cenueshëm në tërësinë e tij dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’u paraqitur për shqyrtim” para Kolegjit.
Në ankim Komisioneri parashtron si arsye pasakëtsi në deklarimet e gjendjes cash në vite, për të cilat KPK ka arsyetuar se ishin të paqëllimshme, ishin sqaruar në deklaratën veting dhe nuk ishin të mjaftueshme për shkarkim.
Ballhysa thotë se KPK i është referuar gabim Kolegjit të Posaçëm të Apelimit mbi deklarimet e gjendjeve cash dhe paraqet një sërë vendimesh, duke lënë të kuptohet se arsyetimi i Komisionit për pasaktësi të paqëllimta ishte i gabuar.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu