img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/08/21

KPK akuzon Fatmira Hajdarin për vepër penale në ndërtimin e një pallati

Në 65 faqe të vendimit të zbardhur të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjyqtaren e shkarkuar të Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari zbulohen një mori transaksionesh financiare të padeklaruara apo të deklaruara në mënyrë të pasaktë, ndërsa analiza financiare e nxjerr gjyqtaren me minus 96.6 milionë lekë – një nga diferencat negative më të mëdha që prej fillimit të procesit të vetingut.
Trupa që kreu vetingun vë në dukje se përveç 18.7 milionë lekë të pajustifikuara deri në vitin 2003, kur fillon edhe procesi i deklarimit të pasurive për zyrtarët, ishin edhe 80.8 milionë të tjera të ndarë 12 vite nga viti 2003 deri në vitin 2016.
Pasuritë me probleme, kryesisht të lidhura me zonjën Hajdari dhe të birin, përfshijnë një pallat në afërsi të rrugës së Elbasanit, qiramarrjen dhe shitje e një lokali bar-kafe në Qytetin Studenti, një apartament, një dyqan apo transaksione me aksione kompanish.
KPK vë në dukje në vendim se ndërtimi pa leje i një pallati në tokën që nuk zotërohej nga subjekti ishte vepër penale. “Në këto kushte, subjekti, me kryerjen e këtij ndërtimi në një pjesë toke që nuk ishte në pronësi të saj dhe e papajisur me leje ndërtimi, ka konsumuar elementet e veprës penale të “ndërtimit të paligjshëm,” thuhet në vendim.
Komisioni tha se veprimet e Hajdarit mbi tokën që nuk e zotëronte dhe mosrespektimi i ligjit kishin cënuar besimin e publikut te drejtësia. “Në vlerësim të Komisionit, tërësia e veprimeve për kryerjen e ndërtimit të objektit ***-katësh pa lejet përkatëse, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, tregojnë një raport të tillë të subjektit me zbatimin e ligjit, i cili është i papranueshëm për të pasur besimin e publikut,” thuhet në vendim.
Fatmira Hajdari është e veja e Azem Hajdarit, deputetit dhe njërit prej drejtuesve të lëvizjes së dhjetorit kundër diktaturës në vitet 90’, i cili u vra në vitit 1998. Ajo i kundërshtoi pretendimet e Komisionit gjatë seancës dëgjimore përballë trupës së kryesuar nga Roland Ilia, me anëtare Firdes Shuli dhe relatore Etleda Çiftja.
Hajdari e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si gjyqtare e Gjykatës së Tiranës. Në korrik 2013, Hajdari u dekretua nga Presidenti gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Tiranës.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu