Pagesa 6 mijë euro për lirim nga burgu, SPAK ndalon gjyqtaren e Apelit Korçë
Pesë persona u arrestuan ose u vendosën në masë sigurie arrest shtëpiak nga SPAK në një rast tjetër të dyshuar për mitëmarrje në sistemin e drejtësisë. SPAK bëri të ditur se gjyqtarja Mimoza Margjeka, e cila është komanduar në gjykatën e Apelit Korçë, dyshohet se mori 6 mijë euro përmes bashkëshortit Arben Cara për të lehtësuar masën e sigurisë së një personi të ndaluar në Pogradec për veprën penale Ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Rasti i hetuar me “metoda proaktive”’, një eufemizëm që nënkupton mbajtjen e të dyshuarve në përgjim, zbuloi se tre shtetas Nejton Bali, Klaudjo Zhilla dhe Skënder Demiraj, ky i fundit avokat, i dhanë bashkëshortit të gjyqtares shumën prej 6 mijë eurosh. Pas transferimit të shumës, Gjykata e Apelit të Korçës ndryshoi masën e sigurisë së Orion Balit, i cili ishte ndaluar në korrik të këtij viti duke transportuar 14 emigrantë të paligjshëm nga Korça për në drejtim të kufirit malazez. Policia njoftoi në atë kohë se emigrantët e paligjshëm që dukshëm po përpiqeshin të arrinin Europën Perëndimore përmes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kroacisë, kishin paguar 100 euro personi për shërbimin e transportit në Shqipëri.
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar në Tiranë urdhëroi arrestimin e bashkëshorit të gjyqtares Arben Cara dhe dy qytetarëve Nejton Bali e Klaudjo Zhilla ndërsa dha masën e sigurisë arrest shtëpie për gjyqtaren dhe avokatin Demiraj.