img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/09/14

KPK përmbyll pas 4 seancash hetimet për prokurorin Moisi Duda

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zhvilloi të hënën seancën e katërt dëgjimore për Prokurorin e Apelit të Durrësit, Moisi Duda, ndërsa njoftoi se për të ishte hapur hetimi edhe në dy kriteret e tjera. Trupa gjykuese e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Xhensila Pine dhe anëtare Brunilda Bekteshi, tha se pas shqyrtimit të disa provave shtesë në kriterin e pasurisë, ishte vendosur rihapja e hetimit edhe në kriterin e figurës dhe atë të profesionalizmit.
Në një raport të shkurtër, relatorja e çështjes Xhesila Pine vuri në dukje se Duda kishte sjellë një dokument noterial në lidhje me pjestimin e pasurisë me të vëllanë, ndërsa tha se atij nuk i ishin gjetur probleme të figurës.
Pine po ashtu lexoi një raport pozitiv për profesionalizmin, ndërsa vuri në dukje se prokurorit i ishte kaluar barrë prove mbi dy denoncime nga një grua, që kishte kërkuar përjashtimin e tij nga çështje ndaj saj.
Duda në fjalën e tij risqaroi se përse kishte paraqitur me vonesë marrëveshjen me të vëllanë, ndërsa tha se kjo kishte qenë e pamundur pasi pasuria e të vëllait ishte ende në emrin e prindërve. Ai tha se marrëveshja nuk ishte parë e arsyeshme, pasi ata nuk kishin mosmarrëveshje.
Të njëjtën gjë përsëriti edhe avokati i Dudës, Koçi Mato, i cili ndër të tjera vuri në dukje se siç i kishte thënë më parë KPK-së, klienti i tij do të dilte shumë mirë në kriterin e figurës dhe profesionalizmit. “Isha besimplotë dhe u provua,” tha ai.
Por pas tërheqjes së vëmendjes nga drejtuesi i seancës se nuk kishin dhënë shpjegime për denoncimet, Duda rimori fjalën dhe pretendoi se çështjet ndaj denoncueses i kishte marrë me short dhe se denocnuesja në asnjë moment nuk ka kërkur te drejtuesi i prokurorisë zëvendësimin me një prokuror tjetër. Ai tha se nuk kishte vlerësuar se duhej të hiqte dorë nga çështja, sepse s’kishte asnjë arsye ligjore.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu