Komisioni i rrëzoi një dyzinë me kërkesa ndërsa gjyqtari Hamitaj kërkon përjashtimin e trupës
Për më shumë se tre orë gjatë seancës dëgjimore të hënën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, gjyqtari i Apelit Durrës Tritan Hamitaj parashtroi dhjetëra kërkesa duke kërkuar më shumë kohë për të siguruar prova; riçeljen e hetimit për të tri kriteret; informacion për afatet e vëzhguesve ndërkombëtarë e deri në përjashtimin e trupit gjykues. Komisioni i rrëzoi thuajse të gjitha kërkesat e Hamitajt, ndërsa për të fundit vendosi që të shqyrtohet nga një tjetër trup gjykues, si dhe të shtyjë seancën për të nesërmen, të martën më 15 shtator 2020.
Trupi gjykues që po kryen rivlerësimin për gjyqtarin Tritan Hamitaj përbëhet nga Suela Zhegu kryesuese, Lulzim Hamitaj relator dhe Genta Tafa Bungo anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.
Tritan Hamitaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999 dhe përgjatë dy dekadave ka punuar si gjyqtar në Gjykatën e Lushnjës, atë të Durrësit dhe Gjykatën e Apelit në Durrës. Hamitaj ka mbajtur edhe pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitet 2010-2015.
Gjatë seancës së të hënës, gjyqtari Tritan Hamitaj kërkoi mundësinë për të paraqitur kërkesa paraprake. Fillimisht ai kërkoi më shumë kohë për të mbledhur prova në funksion të barrës së provës që i ka kaluar Komisioni.
“Më keni dhënë 46 barra prove dhe më keni lënë 15 ditë kohë, ndërkohë që kam kaluar në këtë periudhë edhe COVID-19. Duhen të paktën tre muaj që të kthehesh në gjendje normale shëndetësore pasi kalon këtë sëmundje. Tani që jam rikthyer duhet të shkoj në punë dhe duhet të kujdesem për tre fëmijët e mi. Kam përgatitur 115 faqe relacion lidhur me barrën e provës dhe një Zot e di se si ia kam dalë. Do kërkoja minimalisht 3 muaj kohë, pasi kështu do të më mundësohej një proces i drejtë dhe i rregullt ligjor”, kërkoi Hamitaj.
Pasi u tërhoq, trupi gjykues vendosi ta rrëzojë këtë kërkesë duke e konsideruar të përsëritur dhe të pabazuar.