img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/09/19

Gjykata e Lartë pranon rekursin e SPAK për gjyqtarin Luan Daci

Gjykata e Lartë pranoi një rekurs të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK për masën e sigurisë ndaj gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci dhe vendosi ta kalojë çështjen për shqyrtim në seancë gjyqësore.
Sipas zëdhënëses së Gjykatës së Lartë, Ida Vodica, vendimi është marrë të premten, më 18 shtator në dhomë këshillimi nga trupi gjykues me relator të çështjes gjyqtarin Ilir Panda.
SPAK e akuzon gjyqtarin Daci se ka falsifikuar dokumentet gjatë aplikimit për pozicionin e tij, përmes paraqitjes së rrethanave të rreme si dhe mosdeklarimit të një mase disiplinore për largim nga puna, të vitit 1997. Por një masë sigurie për “pezullim nga detyra” u rrëzua nga Gjykata e Posaçme e Apelit.
Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit, paraqitja e të dhënave të rreme në procesin e aplikimit për një post në institucionet e vetingut nga Daci, nuk ka elementë të veprës penale të falsifikimit.
Por prokurorët e SPAK pretendojnë në rekursin e bërë përpara Gjykatës së Lartë se Apeli nuk ka marrë parasysh vlerën që pati dokumenti i aplikimit në procesin e përzgjedhjes së Luan Dacit, në kundërshtim me kriteret ligjore.
“…Mënyra se si Gjykata e trajton kërkesën e datës 03.02.2017 është aspak e pranueshme, pasi sipas logjikës së Gjykatës së Apelit aplikanti mund të deklarojë çfarë t’i vijë për mbarë dhe nuk mban përgjegjësi për ato që deklaron, a thua jemi para një ‘letre pa vlerë,” argumenton SPAK në rekurs.
“Daci ka qenë i vetëdijshëm se ekspozimi i masës disiplinore do të çonte në skualifikimin e menjëhershëm të tij,” shtohet në rekurs.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu