img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/08/04

Gjykimi mbi vlerën e provave të Adnan Kosovës ndau KPA

Vendimi i arsyetuar i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për subjektin Adnan Kosova, ish-prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme, tregon se trupa gjykuese u nda në një shumicë që vendosi se provat e paraqitura prej tij për blerjen e apartamentit nuk ishin bindëse sepse kishin vetëm “vlerë deklarative” ndërsa dy anëtarë në minorancë i gjykuan këto prova si të mjaftueshme.
Kosova u shkarkua si prokuror pas një karriere 34 vjeçare në 13 mars 2020 me vendim të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, ku nga pesë gjyqtarët e trupës, tre votuan shkarkimin ndërsa dy, Sokol Çomo dhe Ina Rama, votuan kundër.
Trupa gjykuese u nda në lidhje me peshën e provave të ofruara nga Kosova për burimin e blerjes së një apartamenti në Tiranë në vitin 1998 me vlerë 2.6 milionë lekë. Sipas Kosovës, burimi i blerjes së apartamentit ishte shitja e apartamentit të tij në Korçë me vlerë 2.5 milionë lekë si dhe kursime të familjes. Por të ardhurat në masën 2.5 milionë lekë ishin realizuar, sipas Kosovës ishin realizuar në dy pjesë, një pjesë në masën 1.5 milionë lekë dhe një tjetër në masën 1 milionë lekë. Problemi i Kosovës është se kontrata për shitjen e apartamentit në Korçë mban shumën 1 milionë lekë dhe nuk përmend një kapar prej 1.5 milionë lekësh, të cilin Kosova thotë se e ka marrë katër vjet para se të dorëzojë apartamentin e tij te blerësi dhe të marrë apartamentin e ri në Tiranë.
Kolegji i Posaçëm i Apelimit thotë në vendimin e shumicës se Kosova nuk ka prova shoqëruese për të mbështetur ngjarjen që ai e ka deklaruar si të ndodhur. Provat e ofruara nga Kosova është deklarata e tij e pasurisë e vitit 2003, në të cilën vlera e apartamentit deklarohet në masën 2.5 milionë lekë dhe një deklaratë noteriale të bërë nga blerësi gjatë procesit të rivlerësimit në vitin 2018. Kosova u përball gjithashtu me pikëpyetje nëse mosdeklarimi i kaparit në kontratën e shitjes lidhej me shmangien apo jo të një detyrimi fiskal për të ardhurat e krijuara nga shitja e pronës. Kosova deklaroi se në informacionin e disponuar prej tij në lidhje me regjimin fiskal në kohën e shitjes, mbi këtë të ardhur nuk kishte detyrime tatimore pasi edhe vetë ligji për të ardhurat personale i përket vitit 1999, pra periudhës pas marrjes së kaparit. Shumica e gjeti jo bindës këtë argumentim.
“…trupi gjykues i Kolegjit vëren nga njëra anë ekzistencën e një dokumenti zyrtar të pakontestueshëm, lehtësisht i verifikueshëm – kontrata e shitblerjes e datës 10.06.2002 – që i vendos të ardhurat e subjektit të rivlerësimit nga shitja e apartamentit në vlerën 1.000.000 lekë dhe, nga ana tjetër, deklaratën periodike të vitit 2003,” thuhet në vendim.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu