Shkarkohet nga detyra prokurori i Apelit Tiranë, Dritan Peka
Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka shkarkuar nga detyra prokrurorin e Apelit Tiranë, Dritan Peka.
Vendimi u mor të enjtën nga trupa e KPA-së.
Në korrik 2020 KPA vendosi të hetojë nga e para Pekën në të trija kriteret; pasurinë, figurën dhe profesionalitetin. Ky vendim erdhi pasi Komisioneri Publik ankimoi vendimin të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që konfirmonte Pekën në detyrë.
Komisioneri Publik argumentoi se vendimi i KPK-së kishte probleme përsa i përket hetimit ndaj prokurorit Peka dhe KPA duhej të vendoste shkarkimin e tij për deklarim të pamjaftueshëm dhe për cënim të besimit të publikut te drejtësia.
Komisioneri po ashtu paraqiti disa denoncime të reja dhe kërkoi hetimin e tyre dhe një analizë të re financiare nga Kolegji. KP pretendoi se Peka rezultonte me bilanc negativ në disa vite.
Më 4 mars, KPK konfirmoi në detyrë kryeprokurorin e Apelit Tiranë, Dritan Peka, pavarësisht problemeve me pasurinë.
Me 22 prill Komisioneri Publik Darjel Sina apeloi në KPA, vendimin e KPK-së dhe kërkoi shkarkimin e tij.