KED i dërgoi parlamentit vetëm një kandidat për në Gjykatën Kushtetuese, në shkelje të ligjit
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dërgoi Kuvendit ditën e hënë listën vetëm me një kandidat për një vend vakant në Gjykatë Kushtetuese. Në një njoftim zyrtar, KED shkruan: “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pas diskutimeve miratoi vendimin për pikëzimin dhe renditjen e kandidatit të lejuar për vendin vakant në Gjykatën Kushtetuese, vakancë e parakohshme, e shpallur nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 28.08.2018 dhe rishpallur në datat 21.08.2019 dhe 24.09.2020, si edhe listën përfundimtare të renditjes së bashku me raportin përkatës. KED po sot, i përcolli këto akte pranë organit të emërtesës, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë” Vendimi i KED është shkelje e Kushtetutës dhe ligjit për Gjykatën Kushtetuese. Fillimisht, neni 125 i Kushtetutës parashikon se anëtarët e Gjykatës Kushtetuese përzgjidhen nga kandidatët të renditur në tri vendet e para, nga lista e KED. “Anëtarët përzgjidhen ndërmjet kandidatëve të renditur në tri vendet e para të listës nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas ligjit.” Kjo gjë përforcohet në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ku në nenin 7/c parashikon procedurën si zgjidhen anëtarët e GJK nga Kuvendi. Pika 5 e këtij neni parashikon se Komisioni i Ligjeve organizon seanca dëgjimore me kandidatët dhe më pas harton një listë me tre emra të cilat i dërgon në seancë plenare për tu votuar me 3/5. “Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, sipas renditjes, brenda një afati të arsyeshëm, organizon seancat dëgjimore me kandidatët. Institucionet publike që kanë lidhje me sistemin e drejtësisë, organizata të shoqërisë civile me veprimtari në mbrojtjen e të drejtave të njeriut ose të krijuara për mbrojtjen e interesave të përdoruesve të sistemit të drejtësisë mund të paraqesin opinionet e tyre në lidhje me kandidaturat pranë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Pas këtyre seancave, Komisioni i dërgon Kuvendit emrat e tre kandidatëve për çdo vend vakant bashkë me raportin e arsyetuar për secilin kandidat të përzgjedhur.” Kështu KED duhet të hartonte një listë me tre emra që gara të quhet e vlefshme, në të kundërt duhet të njoftonte Kuvendin për të rihapur garën.