Raport vjetor i KLP për vitin 2023.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë gjatë vitit 2023, ka marrë gjithsej 406 vendime, në
32 mbledhje plenare të zhvilluara. Vendimmarrja ka qenë kryesisht e lidhur me
akte administrative individuale në funksion të karrierës së prokurorëve. KLP-ja ka
pasur gjithashtu në vëmendje dhe ka punuar intensivisht për hartimin dhe
miratimin e disa akteve nënligjore, si:
Rregullorja “Për përcaktimin e rregullave dhe arsyeve të lejimit të kandidatit për
magjistrat për t’u emëruar në vitin pasardhës”;
Rregullorja “Mbi kriteret dhe procedurën për ngritjen në detyrë të prokurorëve
pranë prokurorisë së posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”;
Rregullorja “Për caktimin e rregullave dhe procedurave mbi uljen e ngarkesës së
punës për prokurorët”;
Rregullorja “Mbi dhënien e lejes së papaguar”;
Rregullorja “Për vlerësimin etik dhe profesional të drejtuesve të prokurorive të
juridiksionit të përgjithshëm”;
Rregullorja “Për caktimin e procedurës dhe masës së trajtimit financiar të
prokurorit për shërbimin në skemën e delegimit, për transferimin e përkohshëm,
për caktimin e përkohshëm dhe caktimin për një çështje të veçantë”;
Rregullorja “Për organizimin dhe funksionimin e administratës së Këshillit të
Lartë të Prokurorisë”
Sipas parashikimeve të Nenit 167 dhe 178 të Ligjit për Qeverisjen, pranë KLP-së
funksionon Sektori i Dokumentimit të Seancave, i cili përgatit dosjet me aktet
përkatëse për mbledhjet plenare sipas rendit të ditës, zbardh procesverbalet e
mbledhjeve, pasqyron mendimet e anëtarëve të Këshillit, propozimet apo vërejtjet
që ata kanë lidhur me diskutimet e tyre gjatë mbledhjes, duke i bërë ato pjesë të
procesverbalit, redakton materialet e mbledhjeve në respektim të të drejtave të
privatësisë, konfidencialitetit, të dhënave personale apo sensitive në raport me
palët e treta, etj.
Mbledhjet plenare të KLP-së edhe përgjatë vitit 2023 janë ndjekur nga përfaqësues
të institucioneve dhe organizatave të akredituara pranë KLP-së, si dhe nga
programet e asistencës ndërkombëtare për zbatimin e Reformës në Drejtësi,
EU4JUSTICE dhe OPDAT.
Mbledhjet Plenare të Këshillit kanë qenë të hapura dhe janë ndjekur sipas interesit
nga përfaqësues të medias, shoqërisë civile apo çdo entitet tjetër të interesuar për
veprimtarinë e KLP-së. Për mbledhje plenare për të cilat ka pasur interes të veçantë, është siguruar transmetimi dhe aksesi online, për të mundësuar përcjelljen e saj në kohë reale.
KLP-ja ka vijuar punën me përgjegjshmëri dhe angazhim maksimal në
përmbushjen e detyrimeve të tij kushtetuese dhe ligjore në raport edhe me
transparencën ndaj publikut, duke zbatuar të gjitha procedurat e nevojshme për
realizimin e mbledhjeve plenare, si njoftimi i rendit të ditës së mbledhjes plenare
para zhvillimit të tyre dhe publikimi me transparencë i të gjitha mbledhjeve plenare
dhe vendimeve të marra në to, në faqen zyrtare të Këshillit ëëë.klp.al, përfshirë
këtu dhe regjistrimin audio të çdo mbledhje.