img
    Nga: DW datë: 2020/06/29

Komisioni i Venecias mbi Shqipërinë: Nuk ka vend për interpretime

Deutsche Welle: Prof. Nußberger, ju jeni anëtare gjermane e Komisionit të Venecias dhe merreni edhe me çështjet e hapura juridike në Shqipëri. A keni qenë vetë në Shqipëri?
Prof. Angelika Nußberger: Herën e fundit kam qenë në shkurt me delegacionin e Komisionit të Venecias në Shqipëri, pak kohë para shpërthimit të Coronës.
E cila ishte përshtypja nga takimet tuaja?
Në takimet e shumta me përfaqësues nga politika dhe shoqëria civile pata përshtypjen se është shumë urgjente që reforma e drejtësisë të përmbyllet sa më shpejt dhe me sukses.
Së fundmi Komisioni i Venecias ofroi rekomandimet e tij për shqetësimet ekzistuese në Shqipëri lidhur me Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri. Cili është hapi tjetër që duhet ndërmarrë tani?
Për Shqipërinë ka një rëndësi të jashtëzakonshme të ketë një Gjykatë Kushtetuese funksionale. Kështu që hapi tjetër i nevojshëm është të ecet përpara me emërimet e tjera të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Mbi bazën e opinionit të Komisionit të Venecias rruga përpara tani duhet të jetë e qartë.
Por edhe më parë Komisioni i Venecias ka publikuar rekomandimet e veta për mosmarrëveshje të tjera. Rezultati ka qenë shpesh interpretimi politik, ku secila palë thotë, se Komisioni i jep të drejtë dhe grindjet vazhdojnë. Çfarë efekti kanë atëherë rekomandimet tuaja? A përbën një problem fakti që opinionet tuaja nuk janë të detyrueshme?
Është e vërtetë që teknikisht opinionet e Komisionit të Venecias nuk janë të detyrueshme; ato ofrojnë atë që shpesh quhet si "soft law” - "ligji i butë”. Por kjo nuk do të thotë, që ato mund të neglizhohen. Përkundrazi, të dy, kryetari i Parlamentit të Shqipërisë edhe Presidenti i Shqipërisë e kanë kërkuar opinionin, që do të thotë ata që kanë qëndrime të ndryshme në lidhje me emërimet e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese Opinioni i Komisionit të Venecias jep një përgjigje për pyetjet e kërkuara. Prandaj nuk mund të ketë asnjë dyshim që do të merret seriozisht. Përgjigjet e dhëna përfaqësojnë komunitetin ligjor europian; ato kanë një autoritet të veçantë.
Pas dëgjimit të të gjithë aktorëve relevantë, Komisioni i Venecias e shpjegon pozicionin e tij ligjor sa më qartë të jetë e mundur. Kështu që nuk ka vend për interpretime.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu