img
    Nga: Reporter.al datë: 2020/09/08

KPA vulos shkarkimin e prokurorit Fatmir Lushi

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të martën të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Fierit, Fatmir Lushi.
Sipas njoftimit të KPA, trupi gjykues i përbërë nga Natasha Mulaj kryesuese, Ardian Hajdari relator, Albana Shtylla, Ina Rama dhe Rezarta Schuetz anëtarë, shqyrtuan në dhomë këshillimi ankimin e kryer nga ish-prokurori Fatmir Lushi dhe në mënyrë unanime vendosën ta rrëzojnë atë.
Komisioni vendosi më 26 mars 2019 të shkarkojë prokurorin Fatmir Lushi, pasi gjatë hetimit administrativ u evidentuan probleme me pastërtinë e figurës dhe pasurinë.
Sipas raportit të dorëzuar në KPK nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, DSIK, prokurori Lushi është vlerësuar si i papërshtatshëm për vazhdimin e detyrës, pasi u dyshua se kishte favorizuar persona nën hetim. Sipas KPK, në një rast ai kishte vendosur pushim të hetimeve pa kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, ndërsa në një rast tjetër u dyshua se kishte lehtësuar të pandehurin për akuzën e plagosjes me dashje gjatë gjykimit.

Lexo më shumë
*Informacioni i mësipërm është marr nga këtu