Njoftime Publike

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 19.06.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 86, datë 17.12.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Alma Kolgjoka, gjyqtare/Kryetare e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë.

Kryesuesi i trupit gjykues, në nisje të seancës, njoftoi për depozitimin në Kolegj të dokumentacionit të kërkuar nga institucionet, në funksion të hetimit gjyqësor dhe ftoi palët të shprehin qëndrimet e tyre rreth akteve të reja.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 16.06.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 162, datë 19.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Manjola Kajana, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Në çelje të seancës gjyqësore, Kryesuesja e trupit gjykues njoftoi palët për depozitimin, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, të akteve të dërguara nga institucionet, si dhe të disa provave të reja të subjektit të rivlerësimit.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 12.06.2020

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 241, datë 26.2.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Irena Gjoka, me detyrë gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Komisioneri Publik konstaton se, referuar gjendjes së fakteve të administruara dhe hetimit të kryer nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, sa i takon kritereve të rivlerësimit, vendimi është i cenueshëm në tërësinë e tij.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 10.06.2020

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 231, datë 29.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Anton Martini, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër.

Komisioneri Publik vlerëson se, referuar gjendjes së fakteve dhe provave të administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, vendimi është i cenueshëm në tërësinë e tij dhe, për rrjedhojë, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 09.06.2020

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 249, datë 6.3.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Piro Samara, Inspektor pranë ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë.

Në vlerësimin e Komisionerit Publik, vendimi nr. 249, datë 6.3.2020, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nuk është marrë në zbatim të plotë të dispozitës ligjore, nenit G të aneksit të Kushtetutës, si dhe praktikës gjyqësore orientuese të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 28.05.2020

Institucioni i Komisionerëve Publikë njofton se:
Në zbatim të Aktit normativ për “Disa ndryshime në Aktin normativ nr. 9”, datë 25.3.2020, “Për marrjen e masave të veçanta në fushën e veprimtarisë gjyqësore, gjatë kohëzgjatjes së gjendjes së epidemisë të shkaktuar nga COVID-19”, miratuar nga Këshilli i Ministrave më datë 27.5.2020, rifillon veprimtarinë në kryerjen e të gjitha funksioneve institucionale, duke respektuar masat mbrojtëse nga COVID-19, të miratuara sipas udhëzimeve të autoriteteve përkatëse shtetërore.