Njoftime Publike

Njoftim i ILD për pranimin e kërkesës për masë disiplinore ndaj magjistrates Zamira Vyshka.

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka pranuar në seancën e sotme dëgjimore, kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë për procedim disiplinor me masën ‘Shkarkim nga detyra’ për magjistraten Z.V., gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
ILD ka nisur hetimin disiplinor me iniciativë ndaj magjistrates Z.V., me detyrë gjyqtare pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për shkeljen disiplinore të parashikuar nga neni 140, pika 2, shkronja “b” të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nga neni 104 i ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, për shkak të dënimit për kryerjen e veprës penale të “Korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit, dhe i funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç Kodit Penal.
Hetimi disiplinor i kryer nga inspektorët e ILD-së konkludoi se gjyqtarja është gjetur fajtore dhe është dënuar nga Gjykata e Posaçme Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëv
e të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç të Kodit Penal. Ushtrimi i parregullt i detyrës nga ana e magjistrates, edhe për vetë natyrën e faktit penal të konsumuar, përbën shkelje shumë të rëndë disiplinore, e që ka sjellë pasoja për dhënien e drejtësisë, ka diskredituar rëndë figurën, autoritetin, dinjitetin si dhe është dëmtuar rëndë besimi i publikut te magjistrati dhe tek organet e drejtësisë.
Inspektorët e ILD kërkuan caktimin e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra”, kërkesë që u pranua nga Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Njoftim për shtyp i Prokurorisë së Përgjithshme, datë 07.02.2024

Gjyqtarja A.K merret e pandehur për "Kallëzim të Rremë" dhe "Falsifikim të Dokumenteve".

Njoftim për shtyp i KLGJ-së datë 07.02.2024

Sot, në datë 07.02.2024, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi Mbledhjen Plenare të radhës, në të cilën shqyrtoi çështjen si më poshtë:

Këshilli shqyrtoi dhe miratoi vendimin për pezullimin nga detyra të magjistrates znj. {…}, me funksion gjyqtare pranë Gjykatës së Shkallës ë Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm {…}.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 21 Tetor 2022

Sot, më datë 21.10.2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën shqyrtoi çështjen si më poshtë:
Këshilli miratoi vendimin për ngritjen në detyrën e gjyqtares së Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar të znj. Flojera Davidhi.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 18 Tetor 2022

Sot, më datë 18.10.2022, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës ku shqyrtoi çështjet si vijon:
Këshilli shqyrtoi dhe miratoi vendimin për renditjen e kandidatëve në procedurën e ngritjes në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pozicionin e lirë të shpallur me Vendimin nr. 125, datë 01.04.2021, të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Më tej Këshilli i Lartë Gjyqësor miratoi vendimin për përfundimin e kohëzgjatjes së komandimit të gjyqtares znj. {…} në pozicionin e nëpunësit përgjegjës në Njësinë e Vlerësimit Etik dhe Profesional të gjyqtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Në përfundim të mbledhjes, Këshilli shqyrtoi dhe miratoi vendimin mbi rishpërndarjen e fondeve buxhetore në programin 03310 “Buxheti Gjyqësor”, në shpenzime korrente, për vitin buxhetor 2022.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 14 Tetor 2022

Këshilli miratoi vendimin për caktimin në skemën e delegimit të gjyqtares znj. Rudina Palloj. Gjithashtu, Këshilli miratoi vendimin për caktimin e gjyqtares së skemës së delegimit znj. Rudina Palloj, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. Në vijim, Këshilli miratoi vendimin për përfundimin e kohëzgjatjes së komandimit të gjyqtares znj. Rudina Palloj në pozicionin e “Këshilltarit Ligjor” në Njësinë Mbështetëse të Komisioneve në Këshillin e Lartë Gjyqësor. Këshilli i Lartë Gjyqësor, pasi shqyrtoi projektvendimin, vendosi për skualifikimin e kandidatit z. {…}, për në formimin fillestar në Shkollën e Magjistraturës, për magjistrat, profili gjyqtar, për vitin akademik 2021-2022. Më tej, Këshilli shqyrtoi dhe miratoi vendimin për caktimin në skemën e delegimit të gjyqtares znj. Elsa Ulliri. Ndërkohë, Këshilli miratoi vendimin për caktimin e gjyqtares së skemës së delegimit znj. Elsa Ulliri, në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. ...