Njoftime Publike

Njoftim i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 24 Shkurt 2020

Sot më datë 24.02.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi përfundimin e proçedurës së përzgjedhjes së kandidatit z.Ervin Pupe për emërim në Gjykatën e Lartë.
Këshilli pasi shqyrtoi kërkesën e z.Ervin Pupe, dëgjoi relatorin e caktuar për verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për rekrutimin e kandidatëve nga radhët e juristëve të spikatur, për në Gjykatën e Lartë, vendosi përfundimin e proçedurës së përzgjedhjes për këtë kandidat, për pozicionin e lirë, në fushën e të drejtës administrative.
Ndërkohë, z.Ervin Pupe vijon të jetë kandidat për proçedurat e përzgjedhjes për kandidimin për emërim në Gjykatën e Lartë për pozicionin e lirë, në fushën e të drejtës civile.

Njoftim i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 20 Shkurt 2020

Sot më datë 20.02.2020, Këshilli zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi detajimin e buxhetit për vitin 2020 për institucionin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe sistemin gjyqësor në tërësi.
Në vijim Këshilli miratoi, kërkesat e disa gjykatave për nxjerrjen jashtë përdorimit të një grupi asetesh të amortizuara, në pronësi të tyre.
Gjithashtu Këshilli me qëllim rivënien në funksion të Gjykatës së Apelit Korçë, në kushtet kur kanë mbetur vetëm dy gjyqtarë, vendosi komandimin në skemën e delegimit të gjyqtares znj. Mimoza Margjeka dhe caktimin e saj pranë kësaj gjykate deri më datë 15.09.2020.

Njoftim i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 07 Shkurt 2020

Sot me datë 7.2.2020 Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mledhjen e radhës në të cilën miratoi disa vendime të rëndësishme.

Në zbatim të detyrimeve ligjore, Këshilli miratoi vendimin mbi kriteret dhe proçedurat e ngritjes në detyrë të gjyqtarëve. Me këtë vendim Këshilli i hap sot, rrugën funksionalizimit të plotë të Gjykatës së Lartë, Gjykatës së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si dhe gjykatave të apeleve të vendit, nëpërmjet shpalljes së vendeve vakant, proçedurës së ngritjes në detyrë dhe promovimit të gjyqtarëve profesionistë dhe me integritet të lartë.

Njoftim i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 06 Shkurt 2020

Sot më datë 06.02.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi përbërjen e Komisionit të Përkohshëm për verifikimin e plotësimit të kritereve ligjore të pranimit në Shkollën e Magjistraturës, për vitin akademik 2020-2021, të kandidatëve për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë. Pas shqyrtimit të propozimeve, Këshilli vendosi që anëtarë të këtij Komisioni të jenë z. Maksim Qoku, znj. Brunilda Kadi dhe znj.Marçela Shehu.

Njoftim i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 05 Shkurt 2020

Këshilli i Lartë Gjyqësor, në bashkëpunim të ngushtë me USAID, bëri aktive sot faqen e re të internetit që gjendet në linkun www.klgj.al. Faqja e re veçse përmbush detyrimet e përcaktuara në ligjin nr. 119/2014 “Për të Drejtën e Informimit” dhe ligjit nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, synon vendosjen e marrëdhënieve proaktive, transparente e informuese me publikun dhe median.

Njoftim i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 30 Janar 2020

Sot më datë 30.01.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor, zhvilloi mbledhjen e radhës në të cilën miratoi listën e gjyqtarëve pjesëmarrës dhe aktiviteteve, lidhur me trajnimin vazhdues pranë Shkollës së Magjistraturës, për periudhën janar-mars 2020.

Në funksion të paketës së rregullave për vlerësimin profesional të gjyqtarëve Këshilli miratoi udhëzuesin mbi mënyrën e plotësimit të tabelave me të dhëna statistikore të punës së gjyqtarëve.