Njoftim i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 16 Prill 2020
Sot, në datën 16.04.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës, në respekt të plotë të detyrimeve të përcaktuara në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi për shmangien e përhapjes së virusit COVID-19, duke e realizuar përmes platformës elektronike “Microsoft Teams”, tashmë e aksesueshme drejtpërdrejt edhe nga mediat.
Mbledhja nisi me ngritjen e Komisionit të Përkohshëm për hartimin, propozimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të një plani masash për ushtrimin e veprimtarisë së shërbimeve gjyqësore në mënyrën më të sigurtë të mundshme gjatë kohëzgjatjes së epidemisë së shkaktuar nga virusi Covid-19. Pas shortit, anëtarë të këtij Komisioni u zgjodhën, znj. Naureda Llagami, në cilësinë e kryetares, z. Medi Bici, znj. Brunilda Kadi, znj. Marçela Shehu dhe z. Erjon Muharremaj.