Njoftime Publike

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 12.03.2020

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 229, datë 28.1.2020, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, z. Dritan Banushi, me funksion gjyqtar/Kryetar i Gjykatës së Apelit Gjirokastër.

Komisioneri Publik, pasi shqyrtoi vendimin e mësipërm, vlerëson se, referuar gjëndjes së provave dhe fakteve të administruara nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe në konsideratë të juridiksionit rivlerësues të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, subjekti i rivlerësimit, z. Dritan Banushi nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 12.03.2020

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shpalli sot vendimin e gjykimit të ankimit të vendimit nr. 63, datë 6.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Arben Dollapaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit me vendimin nr.04/2020 (JR), datë 12.03.2020, në mënyrë unanime, vendosi:
- Ndryshimin e vendimit nr. 63 datë 6.08.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Arben Dollapaj, prokuror, në momentin e fillimit të procesit të rivlerësimit, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në momentin e shpalljes së këtij vendimi.
- Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, në Tiranë, më datë 12.03.2020.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 06.03.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku nisi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 162, datë 19.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Manjola Kajana, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Në çelje të seancës gjyqësore, Kryesuesja e trupit gjykues njoftoi për depozitimin në Kolegj të akteve të reja, të dorëzuara nga subjekti i rivlerësimit, në funksion të shkaqeve të ankimit të Komisionerit Publik.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 05.03.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 63, datë 6.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Arben Dollapaj, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Apelit Shkodër, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Komisioneri Publik, në paraqitje të konkluzioneve përfundimtare, nënvizoi faktin se ankimi i tij u mbështet në fakte dhe rrethana, të cilat iu bën me dije institucioneve të rivlerësimit nëpërmjet pjesëmarrjes së publikut në këtë proces, përmes denoncimeve, dhe për të cilat trupi gjykues pranoi të hetonte gjatë këtij gjykimi. Komisioneri Publik u qëndroi shkaqeve dhe kërkimit përfundimtar të ankimit, duke parashtruar se subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provonte të kundërtën e tyre gjatë shqyrtimit gjyqësor. Në këto kushte, Komisioneri Publik kërkoi ndryshimin e vendimit nr. 63, datë 6.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 03.03.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 90, datë 20.12.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Adnand Kosova, magjistrat/prokuror në Prokurorinë e Përgjithshme.

Komisioneri Publik, gjatë paraqitjes së konkluzioneve përfundimtare, i qëndroi kërkimit të ankimit, pasi sipas tij pretendimet dhe provat e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit nuk arritën të provojnë të kundërtën e shkakut të ankimit. Në përfundim të parashtrimeve dhe në vlerësim të përmbajtjes së rekomandimit të ONM-së, Komisioneri Publik konstaton se për kriterin e pasurisë, subjekti i rivlerësimit rezulton me mungesë të burimeve financiare, nuk arrin të justifikojë burimin e ligjshëm të krijimit të saj dhe i kërkoi Kolegjit të Posaçëm të Apelimit ndryshimin e vendimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Adnand Kosova.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 27.02.2020

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 84, datë 27.11.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Cani, magjistrat/prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, të ankimit të Komisionerit Publik, vendosi:
1. Ndryshimin e vendimit nr. 84, datë 27.11.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit z. Besnik Cani, prokuror në momentin e fillimit të procesit të rivlerësimit, anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë në momentin e shpalljes së këtij vendimi.
2. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, më datë 27.2.2020, ora 10.00, në Tiranë.