Njoftime Publike

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 03.10.2019

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ka ushtruar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 190, datë 26.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Ramiz Lala, Kryetar i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, Gjirokastër.

Komisioneri Publik, mbështetur në kompetencën e tij ligjore, nga shqyrtimi i vendimit nr. 190, datë 26.7.2019, dhe i akteve në dosje të Komisionit, referuar dhe përmbajtjes së një materiali informues/denoncues të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në lidhje me kriterin e vlerësimit të aftësive profesionale, material i depozituar pranë Komisionerit Publik pas marrjes së vendimit nga ana e Komisionit, vlerëson se provat e administruara nuk janë të mjaftueshme për vlerësimin tërësor të procedurave për subjektin e rivlerësimit, z. Ramiz Lala.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 01.10.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 58, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Muçi, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Kryesuesi i seancës njoftoi palët në proces për vendimin e ndërmjetëm të trupit gjykues, për të administruar në cilësinë e provës informacionin e DSIK-së, të dërguar në Institucionin e Komisionerëve Publikë pas depozitimit të ankimit. Subjekti i rivlerësimit, sipas trupit gjykues, do të njihet me përmbajtjen e këtij dokumenti pas procedurës së deklasifikimit.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 25.09.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 62, datë 3.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Artur Malaj, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Apelit, Tiranë.

Subjekti i rivlerësimit, z. Artur Malaj, nuk ishte i pranishëm në seancë për arsye shëndetësore. Bashkëshortja e tij i dorëzoi trupit gjykues një raport mjekësor dhe kërkesën e subjektit të rivlerësimit për të shtyrë seancën e planifikuar, për shqyrtimin e analizës financiare dhe administrimin e provave të depozituara në funksion të shqyrtimit gjyqësor.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 23.09.2019

Institucioni i Komisionerëve Publikë, në vijim të informacioneve të publikuara sot në media, rreth shkaqeve të shtyrjes së Mbledhjes së radhës së KLP-së, që kishte në rend dite miratimin e listës përfundimtare të kandidatëve për pozicionin e Prokurorit të Përgjithshëm, bën më dije se vendimi nr.185, datë 23.7.2019, i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Olsian Çela, bazuar në nenin 63, pika 1, të ligjit nr. 84/2016, i është njoftuar Komisionerit Publik në datë 6.9.2019, nëpërmjet shërbimit shtetëror postar.

Bazuar në nenin 63, pika 1, e ligjit nr. 84/2016, Komisionerët Publikë kanë afat 15 ditë, nga data e njoftimit të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për ta ankimuar pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 20.09.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 58, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Muçi, me detyrë prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Komisioneri Publik, gjatë parashtrimeve për shkaqet e ankimit, vlerësoi se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është në pajtueshmëri me aktet dhe provat e administruara, pasi subjekti i rivlerësimit ndodhet në kushtet e mosdeklarimit saktësisht dhe plotësisht të pasurisë, si dhe nuk ka arritur të shpjegojë bindshëm burimin e ligjshëm të krijimit të tyre.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 18.09.2019

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ka ushtruar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 169, datë 26.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Regleta Panajoti, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Nisur nga dispozitat e nenit 179/b/5 të Kushtetutës, aneksit të Kushtetutës dhe në zbatim të jurisprudencës së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Komisioneri Publik ndan gjykim të kundërt me Komisionin pasi vlerëson se, për rastin konkret, në gjendjen që janë faktet dhe provat e administruara gjatë hetimit administrativ, subjekti i rivlerësimit nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë.