Njoftime Publike

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 03.09.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku filloi shqyrtimi gjyqësor i ankimit kundër vendimit nr. 58, datë 1.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit z. Besnik Muçi, prokuror i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Kryesuesi i trupit gjykues njoftoi palët në proces se seanca e planifikuar shtyhet në një datë tjetër, në mungesë të një anëtari të trupit gjykues.

Pas konsultës në dhomë këshillimi, trupi gjykues vendosi që seanca e radhës të zhvillohet më datë 20.9.2019, ora 10:00.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 08.08.2019

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ushtroi ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 161, datë 18.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Kastriot Selita, magjistrat/gjyqtar, Kryetar i Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë.

Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të tria kriteret e rivlerësimit nuk është i plotë, duke u konsideruar si i tillë, i pamjaftueshëm për të konfirmuar në detyrë z. Kastriot Selita.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 02.08.2019

Komisioneri Publik, brenda afatit ligjor, ka ushtruar ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit pranë Gjykatës Kushtetuese, kundër vendimit nr. 162, datë 19.6.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit znj. Manjola Kajana, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë.

Në vlerësimin e Komisionerit Publik, në rastin konkret, hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nuk është i plotë. Për rrjedhojë, faktet dhe provat e administruara në përfundim të këtij hetimi administrativ janë të pamjaftueshme për të mbështetur vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, referuar pikës 1, të nenit 59, të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 31.07.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 61, datë 2.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, z. Gentjan Osmani, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, aktualisht anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes, vendosi:
1. Ndryshimin e vendimit nr. 61, datë 2.8.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit, z. Gentjan Osmani, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë.
2. Ky vendim është përfundimtar, me efekt të menjëhershëm

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 29.07.2019

Në datë 1.7.2019, në përfundim të seancës dëgjimore përkatëse, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit, z. Artan Madani, prokuror/drejtues në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë.

Sot, më datë 29.7.2019, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit u ka paraqitur Komisionerëve Publikë rekomandimin për të ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për subjektin e rivlerësimit, z. Artan Madani.

Komisionerët Publikë, pasi të njoftohen me shkrim për vendimin nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, do ta shqyrtojnë atë krahas rekomandimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Njoftim për shtyp i IKP-së datë 26.07.2019

Komisioneri Publik ishte sot i pranishëm në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku vijoi shqyrtimi i ankimit kundër vendimit nr. 43, datë 18.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, dhënë për subjektin e rivlerësimit, znj. Nertina Kosova, magjistrate/gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në përfundim të shqyrtimit gjyqësor të çështjes, vendosi:
1. Lënien në fuqi të vendimit nr. 43, datë 18.7.2018, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit, znj. Nertina Kosova;
2. Ky vendim është përfundimtar dhe me efekt të menjëhershëm.