Njoftime Publike

Njoftim për shtyp i KPA-së datë 24/07/2020

Pas vënies në dijeni nga vetë gjyqtar Luan Daci, për marrjen e tij në cilësinë e të pandehurit nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u zhvillua sot Mbledhja e Gjyqtarëve, e cila, me vendimin nr. 14, datë 24.07.2020, në zbatim të nenit C, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës, të nenit 128, pika 3, germa “b”, të nenit 179, pika 7, si dhe të nenit 179/b, pikat 5 dhe 6 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, vendosi:

1. Pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, z. Luan Daci.
2.Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në funksion të ushtrimit të veprimtarisë normale të tij, duke respektuar pavarësine dhe paanësinë e organeve proceduese, si dhe parimin e prezumimit të pafajësisë për gjyqtarin Luan Daci, u kërkon organeve proceduese të vijojnë me një proces të shpejtë, në përputhje me parashikimet e ligjit.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë

Njoftim për shtyp i KPA-së datë 24/07/2020

Sot, më datë 24.07.2020, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u hodh shorti për zëvendësimin e anëtarit të trupit gjykues, gjyqtarit Luan Daci, në çështjen (JR) nr. 21/2019, datë 24.04.2019 që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 103, datë 05.02.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Donika Prela.

Pas hedhjes së shortit, gjyqtari Luan Daci është zëvendësuar nga gjyqtarja Rezarta Schuetz.

Zëvendësimi i gjyqtarit Luan Daci është bërë për shkak të pezullimit të tij nga detyra me vendimin nr.14, datë 24.07.2020 të Mbledhjes së Gjyqtarëve.

Përfundimisht, trupi gjykues i çështjes (JR) nr. 21/2019, datë 24.04.2019, do të ketë përbërjen që vijon:
- Kryesuese: Natasha Mulaj
- Relator: Ardian Hajdari
Anëtarë: Ina Rama, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo

Njoftim për shtyp i KPA-së datë 24/07/2020

Kolegji i Posaçëm i Apelimit njofton se në vijim të vendimit nr.14, datë 24.07.2020 të Mbledhjes së Gjyqtarëve për pezullimin nga detyra të gjyqtarit Luan Daci, u hodh shorti për zëvendësimin e gjyqtarit në trupin gjykues që do të shqyrtojë çështjen (JR) nr.27/2019, datë 20.05.2019 që i përket subjektit të rivlerësimit Fatmir Lushi.

Pas hedhjes së këtij shorti, gjyqtari Luan Daci u zëvendësua nga gjyqtare Ina Rama.

Përfundimisht, trupi gjykues i çështjes (JR) nr.27/2019, datë 20.05.2019, do të ketë përbërjen që vijon:
- Kryesuese: Natasha Mulaj
- Relator: Ardian Hajdari
- Anëtarë: Albana Shtylla, Ina Rama, Rezarta Schuetz

Ju bëjmë me dije se për këtë arsye, seanca gjyqësore në dhomë këshillimi u ndërpre, për t’u zhvilluar në datën 08.09.2020, ora 9.30.

Seanca në dhomë këshillimi do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.

Njoftim për shtyp i KPA-së datë 23/07/2020

Ditën e mërkurë, më datë 16.09.2020, ora 09:00, do të gjykohet në dhomë këshillimi çështja (JR) nr.30/2019, datë 06.06.2019 që i përket ankimit të paraqitur nga subjekti i rivlerësimit Fehmi Petku, kundër vendimit nr. 136, datë 09.04.2019 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Trupi gjykues për gjykimin e kësaj çështjeje përbëhet nga:
- Kryesuese: Albana Shtylla
- Relatore: Natasha Mulaj
- Anëtarë: Ardian Hajdari, Ina Rama, Sokol Çomo

Seanca në dhomë këshillimi do të zhvillohet në ambientet e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, në adresën: Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nr.3. Tiranë.

Njoftim për shtyp i KPA-së datë 22/07/2020

Kolegji i Posaçëm i Apelimit zhvilloi më datë 22.07.2020, ora 10:00, seancën gjyqësore publike për çështjen (JR) nr. 23/2019, datë 08.05.2019, që i përket ankimit të paraqitur nga Komisioneri Publik kundër vendimit nr. 112, datë 04.03.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit që lidhet me procesin e rivlerësimit kalimtar të subjektit të rivlerësimit Dritan Peka.

Njoftim për shtyp i KPA-së datë 21/07/2020

Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit është regjistruar çështja (JR) nr.29/2020, datë 16.07.2020 që i përket ankimit të subjektit të rivlerësimit Ardit Mustafaj kundër vendimit vendimit nr. 245, datë 05.03.2020 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Sot, në datën 21.07.2020, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, u hodh shorti për caktimin e trupit gjykues, kryesuesin e këtij trupi dhe relatorin e çështjes.

Trupi gjykues i caktuar me short është i përbërë si më poshtë vijon:
- Kryesues: Luan Daci
- Relatore: Ina Rama
- Anëtarë: Albana Shtylla, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz