Njoftime Publike

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 08 Tetor 2020

Këshilli i Lartë Gjyqësor, i vetëdijshëm për rëndësinë që ka rifunksionalizimi i plotë i Gjykatës Kushtetuese për forcimin e shtetit të së drejtës, për garantimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, inkurajon gjyqtarët që përmbushin kriteret formale ligjore dhe që kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar duke u konfirmuar në detyrë, të kandidojnë për pozicionet e lira për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 07 Tetor 2020

Sot me datë 07.10.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi disa çështje të rëndësishme. Më konkretisht:

- Në vijim të procedurave për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën e Lartë nga radhët e gjyqtarëve, Këshilli vendosi verifikimin e plotësimit të tre kritereve të kandidimit nga znj. Alma Hicka dhe znj. Saida Dollani, për pozicionin e lirë në fushën e të drejtës civile, të shpallur me vendimin nr.87, datë 26.02.2020, dhe vijimin e procedurës së verifikimit për kriteret e tjera ligjore të kandidimit.

- Këshilli vendosi edhe përfundimin e procedurës së ngritjes në detyrë pranë Gjykatës Administrative të Apelit, për pozicionin e lirë të shpallur me vendimin nr.188, datë 28.05.2020.

- Këshilli vendosi miratimin e listave emërore të kandidatëve për këshilltarë dhe ndihmës ligjorë që kanë plotësuar kriteret e pranimit në programin e formimit fillestar pranë Shkollës së Magjistraturës, për vitin akademik 2020-2021.

- Më tej, Këshilli vendosi shpalljen e kërkesës për kandidatura nga radhët e gjyqtarëve për komandim në Këshillin e Lartë Gjyqësor, për një pozicion në Njësinë e Vlerësimit Etik dhe Profesional të Gjyqtarëve.

- Gjithashtu, Këshilli vendosi komandimin në skemën e delegimit të gjyqtarëve znj. Igerta Hysi dhe z. Laurent Fuçia dhe caktimin e tyre përkatësisht në Gjykatën e Apelit Durrës dhe Gjykatën e Apelit Vlorë, për një afat të caktuar.

- Në përfundim Këshilli vendosi miratimin e nxjerrjes nga përdorimi dhe transferimin kapital të disa aseteve si dhe rishpërndarjen e fondeve për në disa gjykata.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 02 Tetor 2020

Sot me datë 02.10.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi disa çështje të rëndësishme. Më konkretisht:

- Pas verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të emërimit, pasurisë dhe figurës, Këshilli vendosi kualifikimin për emërim të kandidates së diplomuar në Shkollën e Magjistraturës, znj. Entela Gjoni.

- Këshilli pas shqyrtimit të kandidaturave për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë, vendosi kualifikimin e magjistratëve znj.Margarita Buhali, dhe z.Dhimitër Lara, z.Klodian Kurushi dhe znj.Albana Boksi si dhe vijimin e procedurave të mëtejshme të emërimit.

- Gjithashtu pas shqyrtimit të kushteve dhe kritereve ligjore për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Këshilli vendosi kualifikimin e magjistrateve znj. Miliana Muça dhe znj. Iliriana Olldashi si dhe vijimin e procedurave të mëtejshme të emërimit.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 30 Shtator 2020

Sot me datë 30.09.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën pas verifikimit të plotësimit të kushteve të komandimit në pozicionin e ndihmësmagjistratit në Gjykatën e Lartë, vendosi t`i dërgojë Gjykatës së Lartë emrat e kandidatëve që plotësojnë kushtet për t`u komanduar dhe konkretisht të znj. Engjëllushe Tahiri, znj. Lorena Çabej, znj. Iva Zemani dhe znj. Enisa Shahini.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 28 Shtator 2020

Sot me datë 28.09.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi disa çështje të rëndësishme. Më konkretisht:

- Pas verifikimit të kushteve dhe kritereve ligjore të emërimit, pasurisë dhe figurës, Këshilli vendosi kualifikimin për emërim të shtatëmbëdhjetë kandidatëve për magjistratë të cilët kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës në vitin akademik 2019-2020.

- Në vijim të shqyrtimit të kandidaturave për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Lartë, Këshilli vendosi kualifikimin e magjistratëve znj.Klodiana Veizi dhe z.Enton Dhimitri, si dhe vijimin e procedurave të mëtejshme të emërimit.

- Gjithashtu pas shqyrtimit të kushteve dhe kritereve ligjore për ngritjen në detyrë në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Këshilli vendosi kualifikimin e magjistrates znj.Daniela Shirka si dhe vijimin e procedurave të mëtejshme të emërimit.

- Në përfundim Këshilli diskutoi mbi verifikimin e kushteve dhe kritereve ligjore për emërimin si gjyqtar në Gjykatën e Lartë të kandidatit të katërt nga radhët e juristëve te spikatur, shqyrtimi i te cilit u shty për një mbledhje tjetër.

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 26 Shtator 2020

Me qëllim plotësimin e pozicioneve të tjera të lira në Gjykatën e Lartë, Këshilli miratoi kriteret dhe procedurat e ngritjes në detyrë të gjyqtarëve, duke hapur më pas procedurat e ngritjes në detyrë për 11 pozicione të lira, nga të cilat 4 pozicione në fushën e të drejtës administrative, 3 pozicione në fushën e të drejtës civile dhe 4 pozicione në fushën e të drejtës penale.

Për këto pozicione kanë aplikuar 23 kandidatë, për 21 prej të cilëve, Këshilli ka verifikuar plotësimin e tre kritereve ligjore të kandidimit dhe po vijon procedurat për verifikimin e kritereve ligjore të pasurisë dhe figurës, duke vijuar paralelisht procedurat e vlerësimit etik dhe profesional.

Për 2 kandidatët e tjerë, ka përfunduar verifikimi i këtyre kritereve, rezultatet e të cilit do të shqyrtohen në mbledhjet e radhës. Ndërkohë, për të 23 kandidatët ka vijuar verifikimi i pasurisë dhe figurës, ku për 2 prej tyre ky verifikim ka përfunduar, rezultatet e të cilit do të shqyrtohen në mbledhjen e radhës.

Për 8 kandidatë të tjerë, verifikimi i pasurisë dhe figurës është në përfundim, ndërsa rezultatet e tij do të shqyrohen në mbledhjet më të afërta. Për 6 kandidatë, që janë subjekt rivlerësimi kalimtar (vetting), u është kërkuar organeve të rivlerësimit trajtimi me përparësi i procedurës së rivlerësimit kalimtar.