Njoftime Publike

Njoftim për shtyp i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 09 Shtator 2020

Këshilli i Lartë Gjyqësor në mbështetje të nenit 146, pika 4 të “Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, vendosi të organizojë më datë 10.09.2020 (nesër), ceremoninë publike të betimit të 8 (tetë) gjyqtarëve të përzgjedhur me short dhe të miratuar me Vendimin nr. 293 datë 09.09.2020, si anëtarë të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor.
Ceremonia e betimit, në të cilën do të ftohen përfaqësuesit e mediave do zhvillohet pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, në adresën Godina “Poli i Drejtësisë” (Rr. ‘Ana Komnena), ora 10:00.

Njoftim i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 08 Shtator 2020

Sot me datë 08.09.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi disa çështje të rëndësishme. Më konkretisht:

Këshilli miratoi listën përfundimtare të gjyqtarëve që do jenë pjesë e shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor, i cili do hidhet sot pasdite në ambientet e Këshillit ora 17.00 në prani të përfaqësuesve të partive politike, mediave dhe publikut. Lista përfundimtare e gjyqtarëve përbëhet nga:
- Znj. Manjola Xhaxho
- Z. Gentian Medja
- Z. Sokol Ibi
- Znj. Klodiana Mema (Veizi)
- Z. Enton Dhimitri
- Znj. Alma Kolgjoka
- Znj. Emona Muçi
- Z. Eriol Roshi
- Znj. Ornela Naqellari
- Znj. Esmeralda Çeka (Xhili)
- Z. Rexhep Bektheshi
- Znj. Margarita Buhali
- Z. Ardian Dvorani
- Z. Asim Vokshi
- Z. Artur Kalaja
- Znj. Edlira Petri

Njoftim i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 07 Shtator 2020

Këshilli i Lartë Gjyqësor mbështetur në nenin 146 të Kodit Zgjedhor (i ndryshuar), si dhe në zbatim të Dekretit të Presidentit të Republikës nr. 11700, datë 06.09.2020 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin”do të organizojë, ditën e martë, datë 8 shtator 2020, ora 17:00, pranë ambienteve të tij, në adresën Godina “Poli i Drejtësisë” (Rr. ‘Ana Komnena), hedhjen e shortit për përzgjedhjen e tetë gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor Gjyqësor.

Shorti do jetë i hapur dhe në prani të publikut, përfaqësuesve të KQZ, partive politike, organizatave jofitimprurëse me veprimtari në fushën e zgjedhjeve dhe drejtësisë.

Njoftim i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 26 Gusht 2020

Sot me datë 26.08.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi disa çështje të rëndësishme.
Në fillim të mbledhjes, Këshilli miratoi një shtesë në vendimin nr.268, datë 07.08.2020 të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe caktimin e një gjyqtari për gjykimin e çështjeve gjyqësore të veçanta në gjykata të tjera, të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë funksionet në mënyrë të përhershme.

Njoftim i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 26 Gusht 2020

Me hidhërim të thellë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, mësoi lajmin e trishtuar për ndarjen nga jeta të z. Thimjo Kondi dhe gjen rastin ti shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve, bashkëpunëtorëve dhe të afërmve të tij.
Z. Kondi ka qënë një personalitet i shquar në fushën e së drejtës duke kontribuar me punën e tij në ngritjen dhe konsolidimin e sistemit të drejtësisë shqiptare. Ai ka mbajtur detyra të rëndësishme si atë të anëtarit dhe zëvendëskryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Gjykatës së Lartë, Ministrit të Drejtësisë etj.

Njoftim i Këshillit të Lartë Gjyqësor datë 24 Gusht 2020

Sot me datë 24.08.2020, Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi mbledhjen plenare të radhës në të cilën shqyrtoi dhe miratoi kërkesat buxhetore të Programit Buxhetor Afatmesëm 2021 – 2023 (faza e dytë), të sistemit Gjyqësor (KLGJ-së dhe Gjykatave), duke u mbështetur në vizionin, misionin, qëllimin, synimet dhe objektivat strategjike të Këshillit të Lartë Gjyqësor.